Nëse makinat elektrike janë kaq të mira sa dëgjojmë të promovohen fort përtej oqeanit, pse nuk shohim më shumë të tilla edhe në rrugët tona? Po siç thotë populli, “e mira pret”.

 

Nga takimet tona të punës herë të frytshme, herë optimiste për të marrë më shumë kënaqësi nga cfarë bëjmë e herë motivuese për të korrigjuar cfarë po bëhet keq në një treg të ri që kanë dëgjuar se fitohet boll, kam kuptuar pse koncepti i elektromobilitetit në Shqipëri është ende në ndërtim, njejtë si rrugët tona kombëtare.

Presim edhe 2-3 vite, derisa kjo teknologji e re të kushtojë më pak. Ndërkohë mjaftojnë vetëm 3 vite jo pritje që me shpenzimet e karburantit të financohet një automjet i ri elektrik, pa asnjë risk (bazuar në garancinë e automjetit) dhe pa asnjë kosto shtesë investimi. 

Presim derisa ikona e stilit dhe luksit, Mercedes Benz të jetë lider i elektromobilitetit. Të paktën Mercedesin e njohin masivisht si markë relativisht e shtrenjtë me të cilën nuk rrezikon asnjëherë të besh zhurmë pa u vënë re.  Pas 28 vitesh të rënies së yllit komunist me pesë cepa, ylli me 3 cepa i Mercedesit vijon të dominojë bindshëm si patologjia më e spikatur shqiptare e kohërave moderne. The best or nothing!

Por për të gjithë tifozët e skuadrës gjermane të futbollit, të Merkel apo të sistemit ekonomik gjerman, por me të ardhura më të ulëta për të përballuar Mercedes Benz, është në treg “makina e popullit”, Volkswagen. Meqenëse masat/populli përparon me ritme më  të ngadalta, edhe makina e popullit kur vjen puna te elektromobiliteti na lë pak në pritje, për sa i përket parametrave teknikë të lidhur me eficencën dhe performancën.

Presim derisa dikush të dështojë, që mos jemi ne të parët që makina elektrike ose mendësia e vjetër vazhdimisht e vajosur për teknologjitë e reja të afta për të ndryshuar botën të na lërë në rrugë.

Presim derisa të piqen edhe pak djemtë dhe vajzat e reja që janë agjentët tanë në terren që prezantojnë martesën e internetit me automobilizmin. Të paktën të jenë aq të vjetër në treg sa makinat gjermane që importohen në vend.

Presim derisa liderat absolutë të elektromobilitetit sot, aziatikët sybajame, të shkëmbejnë më shumë teknologji me botën Perendimore. Mbase evolucioni nuk i ka bërë fizikisht dhe jo vetëm aq sycelë sa duhet për të sunduar tokë, det dhe ajër dhe ne mbetemi në trekëndëshin Shqipëri-Kinë-Bashkim Sovjetik pa përfituar nga revolucioni i radhës teknologjik kinez!

Kushedi, nuk thonë kot “I duruari, i fituari!”                     
Deri tani makina elektrike na ka lënë në udhëkryq prej skepticizmit, por kur të shikojmë të ecin në rrugë makina autonome do bindemi se kemi pasur të drejtë të jemi skeptikë dhe se shoferët i kane braktisur këto automjete që tani enden pa drejtues rrugëve të botës.

 

Loreta Hysa