Këtë të shtunë patëm kënaqësinë të mirëpresim në mjediset e Galerisë Tirana Last Mile Kryetarin e Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj dhe Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi

Në ceremoninë përmbyllëse të konkursit me ide mjedisore, #ECOschool, kryebashkiaku njoftoi planet e Bashkisë për zbatimin masiv të elektromobilitetit në Tiranë dhe të gjithë lehtësirat që do të ofrohen për operatorët privatë dhe taksistët që duan të elektrifikojnë flotën e automjeteve, nga licencimi për 24 orë i taksive elektrike e deri tek incentivat ekonomike lehtësuese për importin e makinave elektrike.

Në vijim të aktivitetit të mbajtur në Galerinë Tirana Last Mile, Ministri theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e mjedisit dhe se është e patolerueshme që Shqipëria të vazhdojë të mbushet me makina që janë afër fundit të jetës së tyre. Klosi shtoi se jo vetëm makinat, por çdo nismë që shkon në përmirësim të situatës së ndotjes mjedisore, do të nxitet fort nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Z. Veliaj dhe Z. Klosi sëbashku me pjesëmarrësit e EcoSchool u njohën më gjerësisht me punën e projektit Tirana Last Mile dhe përkatësisht zhvillimet e fundit të kompanive AutoYou.eu, Saytaxi Albania dhe Electrify Albania në këtë drejtim, nga ofrimi i teknologjisë dhe shërbimit shitje dhe passhitje të makinave elektrike, shërbimit taksi dhe infrastrukturës së kullave të karikimit në vend.

Florian Voko, menaxheri i projektit Tirana Last Mile inkurajoi të rinjtë të qasen drejt modelit të biznesit të gjelbër dhe prezantoi gatishmërinë e ekipit me të cilin ai punon për të mbështetur këdo operator privat apo publik që dëshiron të zbatojë elektromobilitetin, nëpërmjet ofrimit të teknologjisë dhe ekspertizës prej përvojës 16 vjecare në këtë fushë dhe hulumtimeve dhe testimeve të vazhdueshme në treg.

Për të gjithë të pranishmit në Galerinë Tirana Last Mile, Saytaxi Albania dhuroi kupona promocionalë për udhëtimet me taksitë elektrike të flotës, ndërsa për idenë më të mirë mjedisore, u dhurua një kupon me 5000 lekë vlerë shërbimi.

Në fund, një test drive të pazëshëm për të gjithë kuriozët!

Photo credit: Aldo Bonata